VEGLAT MUZIKORE QE JANE PERDORUR NE NIKAJ-MERTURI

LAHUTA

Lahuta eshte instrument muzikor kordofon. Eshte ndër instrumentet me te vjetra dhe me primitive ne Evrope. Trupi i lahutes punohet kryesisht prej drurit te panjes, por mund të punohet edhe nga druri i krekcit, manit, arres e verrit. Pjesa e luget e lahutes mbulohet me lekure te terhequr te edhit por eshte perdorur edhe planci i lopes. Harku i lahutes kryesisht punohet nga deget e thanes me qime te bishtit te kalit. Ne vend te telave, te lahuta vendosen dyzet fije te bishtit te kalit te terhequra te cilat lidhen te koka e lahutes, kalojne ne nje vrime mes permes kalit i cili punohet prej druri dhe vendoset mbi zhark dhe tendosen te bishti i lahutes. Koka e lahutes në Nikaj-Merturi kryesisht gdhendet në forme te kokes se dhise. Ka edhe lahuta qe kane ne koke te gdhendur përkrenaren e Skënderbeut, Shqiponjen etj. Tingulli prodhohet duke pershkuar me hark bishtin e lahutes, ndersa akordet ndërrohen duke prekur bishtin me gishtat e dores tjeter. Lahutari luan ne lahute ulur kembekryq ose ne karrike.
Me lahute jane kenduar eposi i kreshnikeve qe i perket epikes legjendare po edhe kenget epike historike.
Ka pase raste qe edhe femrat nikajmerturase  kane qene interpretuese te kengeve kreshnike.  Ketu mund te permendim, Kade Ahmaten nga Brashta e Gjonpepajve, motra e Hajdar Ahmatit, e cila i ka ra dhe i ka kenduar lahutes qe ne shekullin e tetembedhjete. Per Kaden tregohet edhe kjo histrori: “Hajdar Ahmati  shume i njohur si lahutare, me trup te madh (“edhe sot ne Nikaj-Merturi, kur dikush e ka kemben e madhe, perdoret shprehja “e paska kemben sa te Hajdar Ahmatit”), trim i pa shoq ne lufte por edhe me gjaqe dhe nje nate gjaksit e kishin hetuar qe kishte shkuar per feste ne fisin Shale dhe sapo erret nata ja rrethojne shtepine per me i vu flaken. Kada i heton dhe menjehere merr lahuten dhe fillon kengen  duke imituarr zerin  e t’ vllait, Hajdarit. Gjaksit sapo degjojne kengen e lahutes thone: Shpejt te ikum se paska ardhe Hajdari dhe na shkrini te t’aneve. Te nesermen e shohin Hajdar Ahmatin duke u djerge Lugut Ndermanjes me pushke ne krahe e  duke kenduar qe  po kthehej nga Shala. Mbrenda asaj dite te gjitha fiset e Malesise e moren vesh qe Kade Ahmatja me kenge e lahute  i shpetoj kullat pa u djeg me rop e gjá brenda. Thone qe ky veprim i guzimshem i saj eshte bá edhe shkas qe te  falen ato gjace.”     
Nikaj-Merturi ka patur lahute dhe lahutare pothuaj ne cdo shtepi. Me poshte po permendim vetem lahutaret dhe kengetaret e kengeve me lahute te pas viteve 1900:
Ukshin Brahimi (Mulaj); Mirash Gjoni (Curraj Eper) i cili njihet edhe si lahutari krijues i kenges “ Ajkuna kan Omerin”; Mhill Preka (Curraj  Epër); Sokol Martini (Brise); Pal Qerimi (Salce); Zef Avdia (Curraj Eper), Mark Mitri (Paplekaj);  Ded Sokoli (Shengjergj); Te paharruarit Syk Papleka (Paplekaj) dhe Zef Markoka (Raje); te rinjt Zef Beka (Palç); Sokol Mulaj (Mulaj) dhe Gofile Papleka (Paplekaj) etj.

ÇIFTELIA

Eshte vegel muzikore popullore me dy tela, qe i bie me tezjah. Ka tri pjese: kupa, kapaku dhe bishti, madhesite dhe trajtat e te cilave ndryshojne sipas krahinave. Tipi kryesor i ciftelise eshte me dy tela, ka edhe nentipa me tre dhe kater tela (1+2, 2+1, 2+2). Bishti eshte i ndare ne 11 deri 13 perde. Zakonisht akordohet ne kuart, perdoret gjithashtu edhe ne sekonde, lart dhe poshte, kuinte, unison dhe septim. Penda zakonisht nxirret nga lekura e trungut te qershise. Loja perqendrohet ne telin e pare, teli i dyte perdoret si mbeshtjetje ritmike harmonike ne trajten e isos. Ka edhe raste qe teli i dyte i ciftelise perdoret per kalimet e veshtira melodike, kryesisht nga instrumentist virtuoze. Ne repertorin e ciftelise perfshihen kenget lirike, shoqerohen dhe vallet. Me te luhen gjithashtu pjese instrumentale solistike, te krijuara posacerisht per kete vegel, si dhe pjese te krijuara per vegla te tjera (fyelli, zumarja). Ciftelia kombinohet bukur me vegla popullore te gjinive te ndryshme si gjethja, zumaraja, bilbili, sharkia etj, duke qene se bashku me to pjestare e formacioneve instrumentale. Ciftelia eshte perdorur tradicionalisht ne Nikaj-Merturi dhe nder instrumentistet me te mire mund te permendim: Zef Avdia (Curraj Eper), Prend Kukeli (Mserr), Ndoc Pjetra (Rreshpe), Zef Bala (Lekbibaj), Nik Pjetra (Qeresh), Mus Tahiri (Raje), Zef Doda (Peraj), Syk Paplekaj, Gjovalin Progni, Sokol Mulaj, Nik Ramaj etj.

SHARKIA

Vegel muzikore popullore zakonisht me pese tela (2+1+2). Ka kasen te punuar nga nje cope e vetme druri dhe bishtin e gjate me 14 perde. Perdoren edhe tipa te tjere sharkie, deri me 12 tela dhe 22 perde. Tingujt e sharkise jane te thelle dhe kumbues. Me sharkine shoqerohen ne menyre heterofonike nje pjese e mire e kengeve lirike dhe epike, te kenduara nga burrat, si dhe valle te ndryshme popullore. Shquhet si nje nder veglat me komplekse, perdoret e vetme ose ne formacionet orkestrale si vegel kryesore. Loja perqendrohet kryesisht mbi telin e pare, dy te tjeret mbajne iso. Ne hyrjet dhe fundet e frazave perfshihet edhe teli i trete, duke i dhene tonin nenbazal. Kjo krijon nje nga efektet kadenciale me karakteristike te kesaj vegle. Sharkia bashkohet me vegla te tjera zakonisht me cifteline, fyellin, dajren dhe violinen. Sharkia 12 teleshe eshte perdorur ne formacione instrumentale me te gjera si vegel udheheqese. Sharkia ne Nikaj-Merturi eshte sjelle per here te pare ne Nikaj-Merturi nga Mark Mitri ne vitet 70’ pas nje festivali qe po zhvillohej ne qytetin e Bajram Currit ku merrnin pjese grupe nga e gjithe Shqiperia. Mark Mitri pasi ka mbaruar kengen me lahute, duke zbritur nga skena eshte ndale nga i madhi Dervish Shaqja duke i thane: “Te kndofte zemra po c’ma knaqe shpirtin, mire po i rajshe e po i kndojshe. Po sharkise  a i bjen e ka pyete Dervishi”? – Me e pase edhe i bie – i ka thane Marku, dhe ne ate moment Dervish Shaqja merr sharkine e tij me te cilen kishte dale ne skene dhe ja dhuron Mark Mitrit i cili e çon ne Nikaj-Merturi dhe prej atij momenti e moren e i mesuan vellezrit e tij Lazri e Sokoli e sidomos djali i tij Syk Papleka  i cili u be shume i njohur edhe si instrumentist edhe si kengtar . Si instrumentistet me te njohur ne perdorimin e sharkise jane: Ndue Marashi (Sharkia); Ded Cani; Sokol Mulaj; Gjok Progni; Sokol Qokaj; Gjok Mulaj; Prek Milani;

FYELLI

Madhesia e fyellit ndryshon sipas llojeve, nga 18 cm (fyelli i shkurter) deri 90 cm (kavalli) Fyelli ndertohet prej drurit te bushit, te shtogut, te panjes, te arres, por edhe nga gypa metalike, sidomos prej tunxhi e bronzi. Fyelli perdoret kryesisht nga burrat. Repertori i fyelltareve perbehet nga motive te mirenjohura kengesh e vallesh, nga pjese solistike te marra nga vajtimet e grave etj. Figurat muzikore dhe emertimet e pjeseve instrumentale per fyell lidhen zakonisht me mjediset blegtorale, si “Dhente ne kullote”, “Dhente ne mriz”, “Dhente tek burimi”, “Zilet e dhenve” , “Hoj dado hoj” etj. Tingujt e fyellit kombinohen bukur me te kumonave dhe te zileve te bagetive gjate kullotes. Shpesh bashkohen dy fyej, njeri prej tyre luan melodine dhe tjetri mban iso por nje kombinim shume interesant eshte edhe fyell me gjethe.
Nder nikajmerturasit me te njohur qe i kane ra fyellit mund te permendim: Pjeter Ukshini, Bibe Marku, Zef Gjergji (Salce); Mark Mitri  (Paplekaj); Pjeter Ndou dhe Nikoll Mirashi (Qeresh); Pjeter Kola (Kuç); etj etj, ndersa artisti i madh dhe i paharruar Martin Progni  ka qene i pazevendesueshem ne fyell e ne kavall.

GJETHJA

Instrumentiste popullore e sidomos cobbant kane perdorur gjethet e pemeve per te nzjerre melodi te ndryshme.Gjethet zgjidheshin sidomos nga njomeza e ahut por edhe nga drunje te tjere dhe me pjekje mesatare. Ajo duke u tendosur  fort me gishta ne te dyja anet krijon nje te kthyer te lehte e cila futet midis buzeve dhe i fryhet sipas melodise. Gjethja dridhet ne menyre te atille qe te nzjerre cdo melodi qe deshiron instrumentisti e sidomos melodide e kengeve te dasmave,  melodite e fyellit, “hoj dado hoj” melodite baritore etj.   

VEGLA TE TJERA
 
FIZARMONIKE

Kole Susaj; Sokol Progni; Pal Imeri; Sokol Susaj; Gjok Mulaj.... etj.

KLARINETE

Martin Progni; Sokol Papleka; Sokol Mulaj; Lek Progni.... etj

VIOLINE

Ndue Nika, Syk Papleka,... etj

TARABUK& DAJRE

Gjovalin Progni...etj

XHEZ& DAULLE

Filip Peci.... etj

 

 

Shenim: Ne menyre qe kjo faqe te jete sa me e plote, na dergoni ne adresen tone te email-it info@nikaj-merturi.com materiale qe kane te bejne me Nikaj-Merturin (histori,fotografi,krijime,sygjerime,vrejtje... etj)
VIDEO E JAVES



mtm_logo

europ_assistance



www.albaskela.com


Website