FRAN UKCAMA

Fran Ukcama, ky profil i dyzuar me vendlindjen, me artin letrar

 Nuk e di pse sa herë këmbehem, përshëndetem, takohem, pi kafe, rri me të, shlodhem me të, sikur shoh Malësinë e Gjakovës, Majën e Hekurave, tre fushat në Gjon Gecaj,

Bujanin e konferencës me të njëjtin emër që la jashtë kufijve kombëtar Kosovën martire me kryeqytetin e shenjt të Dardanisë, Shkupin, Lekëbibajn, Dragobinë me Shpellën e saj famkeqe ku shqiptarët zogist vranë “… trim tribun i Vegjëlisë “ Bajram Currin ( Shpell’e Dragobisë, Noli ), vendin nga ku merrë vrapin Valbona kaltërore, ky lum mitik dhe e mbaron vrapin pak më tutje Zonës B, në Fierëz, duke iu bashkuar maratonës së lumit Ëndërr ose Dri(m)n, e u bërë ekip për tu arratisur në arratinë e përjetëshme, Adriatik, detin tonë të urtë, detin tone të bukur aq të rrahur nga stërgjyshërit tanë, Ilirët?!

Nuk e di pse më kujton Majën e Hekurave, Bjeshkët e Namuna, Tplanin mbi një pllajë dhe urën e Drinit mbi digë, Babinën si ballkon mbi Dushaj, mbi Grih?!
Nuk e di pse më kujtonë dritën e hidrocentralit më të fuqishëm të vendit, Fierzën, që dikur i ngarkuan mbi kurriz me të pa drejtë një emër më të stërëndë se plumbi “ Drita e Partisë “ e që me mund, koha ia shkarkoi?!
Nuk e di pse më kujton urtësinë, fjalëpakun e shpirtngrohtin?! Nuk e di pse në dëgjesë më këndohet nga një rapsod mjeshtër prej Kosove balada “ Qorri i Lazit “?!                
Fran Ukcama i zbrituri në fushën më të bukur shqiptare me simotrën e saj Fushë Kosovënn në atë të Myzeqesë dhe pikërisht në Fier. Në këto fusha ku lufta ndaj otomanëve bëri gjeografi e histori. E po të mos këmbehesha me të këtu, në këtë fushë, në këtë Fier, në këtë Myzeqe e përse do të më kujtonte ato troje, ato bajraqe, ato pjesë trimërie e burrërie ku Homeri ngjeu penën për ti treguar madhështinë Iliadës? Me gigasit ose gegët si sinonim të estetikës, shpirtit të madh, trimërisë lirike ilirike. Kush shkroi e nuk i kujtoi ata?!
Ja si e ndanë kujtesën ndërmjet njerëzve dhe  trojeve shqiptare një poet kombëtar: 


Molla t’ k’ putna nji deget,
Dy qershija lidh n’ nji rrfan.
Ku fillojnë kufijtë e geget
Rrinë dy çika me nji nanë…


Me këtë metaforë të thjeshtë e të hijshme, të lëvizshme e të kuptimtë do ta fillonte njërën nga veprat e tij më të fuqishme “ Andrra e Jetës “ Ndre Mjedja, poeti ynë kapërcyell për në letërsinë poetike moderne dhe Sosyri shqiptar.
Nuk e di! Nuk e di ! Nuk e di! Përsëris pas takimin me të por thellë në qënien time të kuptueshmërisë e kam përgjigjen. Frani mbart mbi shpinë genin e tij të krenarisë, Tropojën dhe e vesh atë me ngjyrat e fjalëve dhe sinonimeve më të bukura të shqipes së gegëve, të këtij dialekti burrëror, të kësaj të folme të Buzukut, të Pal Engjëllit, të Dhimitër Shkodranit, të Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit, të At Gjergj Fishtës, të Frederik Rreshpes, të Primo Shllakut, të Kolec Traboinit, tëAli Podrimjes, të Din Mehmetit, të Rexhep Qosjes, të Agim Vincës, të Faik Shkodrës, të Sabit Idrizit, të Fahredin Gungës, të bacës Ejup Idrizi, të Miftar e Anife Kurtit, të Mustafa Spahiut, të Kim Mehmetit, të Çapriqit, të Begzad Baliut, të Adem Istrefit, të Anton Pashkut, të Agim Devës, të Enver Gjergjekut, të Ramadan Mehmetit etj, etj. Dhe na e përciell ne fierakëve së pari si art letrar për fëmijë e për të rritur. E kjo veshje stilistike bredh brenda fjalëve e fjalive të kthyera në rreshta si sprovë e poezisë e prozës lartësore që ai prodhon në subkoshincën e tij për ta botuar më pas e këta libra të ndërmarrin luminimin pastaj nëpër rrugë e sheshe, zyra e tregtore, institucione e shkolla, nëpër zemra e shpirtëra të qyteteve e fshatrave, ditën, natën, në agim e mug, në të ngrohtë e në të ftohtë. Në vaje e gëzime. Në lindje e vdekje. Është urë letrare që ecën tanimë Fran Ukcama. Urë që vjen nga mitologjia me epe me balada, me drama e komedi. Fran Ukcama është tregimtar i drejtpërdrejt, jo kripto letrar. Janë mite e rrëfenja njerëzore të nginjura me produksionin e tij të fantazisë ato që artikulojnë e përthyejnë organizimin dytësor e parësor të të gjitha veprave letrare në prozë. Pilastrat ku mbështeten ato janë lënda etnologjike e trevës. Kjo ngjizje e përjetëshme e barkut të gjuhës shqipe, bënë lindje të përjetëshme dhe bie po përjetësisht në prehërin e letërsisë shqipe. Është fat…
Ka një turbulence të fuqishme gjat këtij akti hyjnor. Shkrimtari reaksionon mendjen me gjuhën e tij. Dhe lind krijesa, poezia, proza, libri. I bukur ose i shëmtuar. Kështu ndodh me të gjithë që shkruajnë. E përse një libër i shkruar në gjuhën Shqipe duhet share?!
Edhe unë kam sharë libra. Po edhe Frani ka sharë. Po edhe të gjithë…
“ Sa do të donin të kishim një vepër letrare edhe të shëmtuar para Mesharit të Gjonit të Buzukëve “. Që pastaj t’i thonim botës: “ Ja, edhe ne kemi gjuhë të shkruar po aq të
vjetër sa edhe juaja! “
 Fran Ukcama është emër i vaçant në letërsinë kombëtare për fëmijë... Veçanësia filloi atëhere kur ai botoi librin e parë poetik “ Fëshfërijnë Kallinjtë e Grurit “.  
Atëhere kur hodhi për konsum shoqëror këtë energji letrare për ta bërë më pastaj, pjesë të rrjetit shqiptar të edukimit kulturor. Ai nuk e dinte kur ishte njomëzak në Tropojë më 1956, pasi kishte lindur po aty më 25 mars 1946 që “ Biblën “ që do të shkruante më vonë do ta lexonin me aq vëmendje e përthithje, breza të tërë virgjëranësh letrarë anë e mbanë Shqipërisë, si dikur ai konsumonte energjinë letrare të të tjerëve. Ata, që në faqet e tyre për herë të parë shkruajnë përrallat e gjyshërve e pak më vonë vjershat, prozat e vogla të idhujve të tyre poetë, shkrimtarë. Kush fëmijë nuk i filloi leximet me “ Aventurat e Tom Sojerit “, Aventurat e Hakëlberr Finit “, “ Njëzetë mijë lega nën det “, me Odise Grillon, Xhevat Beqarajn, Fran Ukcamën, Leonidha Priftin, Lili Gogun, Riza Hazirin etj. Në dinjitetin dhe unitetin letrar të Fran Ukcamës poet, prozator, publicist frymojnë të kontekstuara një mori veprash. Çdo gjeneratë aty ka veten. Frani jetoi dhe punoi letrarisht në dy botë artistike. Në botën e realizmit socialist dhe atë të pakufizimeve temore, ideore kompozicionale e stilistikore, të pas viteve 1990. Në të dyja botët prodhoi art letrar interesant. Ne se vrejmë me kujdes majën e penës me të cilën poeti, prozatori Ukcama shkroi veprën e vet letrare që nga fillimet e deri më tash ku para pak muajve tek “ Ymeraj “ botoi  “ Ejani të vjelim Yjet “, ajo nuk u mpreh e u ç’mpreh nga “ koha “, “ mendjet “, “ ndërrimet “. Nuk u mpreh e ç’mpreh, thjeshtë, sepse  për lëndë ajo pati dhe ka stilistikën moderne të veshur me arin 24 karat të fëmijërisë të vendit të lindjes, talentit të tij.


Dua sot, tani dua
Të shikoj qiellin kokëposhtë,
T’i vjel yjet porsi ftua,
Njënga një t’i ve në shportë…


Të mrekullon kjo kërkesë naïve e fëmijëve të poetikës Ukcama, ngritur mbi një besim metaforik gjigant.
… lypësat t’i ul në sofra
t’i bëj bosët kamarierë… vazhdon poezia fëminore jo revolucionare, më tej.
Në jetën reverente letrare Ukcama ka kulmuar shumë shtëpi luksoze. Shtëpia romanoze
“ Postieri i Zemrave “ me trarë poetikë, hijeshon psikologjikisht duke mënjanuar pa tmerr ekolastikën e vjetëruar të shkrimit prozadik shqiptar. Është mirëkuptimi dhe bashkëjetesa rracore ajo që mbulon çatinë e bukur të kësaj vile mesdhetare. Ngjarje që lëvizin mardhëniet e fëmijëve shqiptarë dhe grekë. Racizma, ksenofobi që lindin, rriten, vdesin.
Triumfe interesante që lindin nga groteskat mjeshtrore me ligjërim eliptik. Kultivim miqësie globale, pranime genesh e rracash, janë misione qëllimore të këtij romani.
Një pasuri tjetër e çmuar e korpusit të vilave letrare shqiptare për fëmijë është edhe
 “ Vjosana bija e delfinit “. Është i vaçant stili dhe ndërtimi, përbërja morfologjike.
Djepi i ëndrrave përkund romanin që nga lindja deri në plakje. Në fund të fundit jeta nuk është gjë tjetër veçse një bashkësi ëndrrash, që këto ëndrra nuk janë gjë tjetër veçse, gjasa që s’u realizuan asnjëherë. Notat e humanizmit të romanit i përkund edukativiteti i ndëruar me ura mbi fantazinë lidhëse Shqipëri – Itali – Greqi. Vjosana është vajza lumë ose jeta që rrjedh dhe ushqen dashurinë njerëzore për Vitalinën. E veçanta e këtij romani qëndron në harmonizimin për të bërë “ Një “ siç edhe është, toskërishten me gegërishten. Për tu thënë “ back much “ – ve se ligjërimi i gjuhës standarte Shqipe është një nga arritjet më të mëdha e më moderne që ka bërë njerëzimi shqiptarë ndonjëherë në gjallje të tij.
Në formë “ Belvedere “ me anë të të parit, në koshiencë na vjen romani  “ Pulëbardha shpirti që vikasin “. Një semantikë e përskatur me realitetin e kohës. Humanizmi në këtë botë të trazuar dhe të ftohtë përfaqësohet me familjen Leka.
“ … akulli shpirtëror do ta haj këtë botë cingune! “  shkruan një poet sot. Marta ky emër dite, drite që përfaqëson një miturake të braktisur, fiton fuqinë, mbijetesën në këtë familje, pa emër por të madhe… më të madhe se Familjet e Mëdha të Moris Druon.
Personazhet e këtij romani me besueshmëri njerëzore, janë një kohe edhe simbol emblematik me mbiemër Nënë Tereza.
E pa radhë më mendësohet “ Engjëjt luajnë me mua “ Ngërthimi poetik të bënë për vete që në poezitë e para dhe menjëherë të përfytyr një vajzë e stërbukur, modele që pozon hapur në studion e një piktori realist impresionist. Me hiret e saj të jashtëzakonshëm që zbresin nga flokët “ Ku je pikacu? “, sytë “ Mëngjesi i gëzuar “, goja “ Abetare nga Shqipëria “. Faqet “ Koncert në pallat “, gjoksi “ Magjistarët “ e kofshë e këmbë “ Shtegu i kaltër “.
Dhe jo rastësisht e lashë për në fund librin “ A do të kthehen pëllumbat në Gërdec? “, tregime, poezi. Vërtetë, a do të kthehen pëllumbat në Gërdec?... “ do të kthehen “ thotë një gjyshe nga Tropja edhe në Nagasaki edhe në Hiroshima u kthyen, por… vonë, kur harresa kishte vdekur. Kur kujtesa kishte të varrosur. Kur qytetrimi mbërthente me lotë kapakët e varreve. Kur epitafi shkruante:
“ Këtu prehet dashuria. Vdiq më 15 mars 2008! “
Komedi që luhen në dramat e një populli. Udhëheqësa që s’janë veçse vetskenarist, vetregjisor, vetaktor, vetduartrokitës.


… Kam vuajtur këto ditë, kam vuajtur!
Si të gjithë kam qar, sit ë gjithë kam lotuar.
Na ra rrufeja për së kthjellti
Goditi shpirtëra, ëndrra, këngë, lule, zogj…


Në se ka njerëzi, në se ka talent, në se ka dyzim me artin letrar, tregimi “ Buka e nënës “ e tregon fuqishëm Fran Ukcamën sit ë tillë. E shuguron për jetë të jetëve princ të letërsisë shqiptare për fëmijë.
“ … çdo ditë në orën dymbëdhjetë unë do t’i çoj trastën me bukë. Ajo punon te baruti, për bukën tone. Buka jonë me gjak. “ se “ Zëri i saj/ orë e çast, orë e çast thërret/ Zgjohu nënë!/ S’di s’po qesh, s’di s’po flas!...”
Princ që kurrë nuk e ktheu gishtin nga vetja, për të treguar vetveten si hierark.
Petraq Kote


Disa poezi nga Fran Ukcama:

BTOSHE FOLEZE E PARE


Kullat si thepat,
Me rrenje prej guri,
Tel ciftelie...
Barut-Merturi.
Qafa e Kolcit
Kapercyell pertej,
Korja e Merturit
Keshtjelle ne qiej....
Dielli ne magje,
Ma siti ne shoshe
Ma fali mes grykash
Fshatin Btoshe,
Dhe pse me pak dhe,
Dhe tre pellembe qiell,
Nje pellembe hene,
Nje grusht me diell.
Perrenjt perbirojne,
Si lot syrit te malit,
Valet qumsht bjeshke,
Brinjet maze tamlit....
Toke-zot ujku,
Reve-shqiponja,
Ku na ra koka,
Sot desha te shkoj
Te shkoj a te fluturoj!
Se aty niska hena,
Aty dielli leu,
Guri dhe druri
Per mua, atdheu....
Sa mote vrapuan
Ciu!Ciu!Mbi dhe
Me e shtrenjta foleze
Vendlindje je.
Gaca e oxhakut,
Ne grimca te gjakut.

"Btoshe foleze e pare", shkruar nga poeti nikajmerturas Fran Ukcama.

 Humor ditor

Dorë e prapë

Nuk mund të rri pa e përshkruar
se ç'ndodhi sot në lagjen time:
dy qen lodronin të lumturuar
mbi bar e lule, puna e tyre.
Aty kalon një djalë i prapë,
 se prapësinë e tregoi vetë;
me sa fuqi i hëngri krahu
me gur qëlloi qenin e shkretë.
Qeni klithi, klithi, klithi...
Unë u ngriva brenda shpirtit,
djalin grerëza i pickoi veshin,
e fërkon me majë të gishtit.
Qenin e gjorë e mori rrugica
dhe lëpin plagën nën një ferrë,
veshi i djalit si spec me rrudha
dhe u ndez lagjja me poterë.
Afrohem pak për ta shikuar.
- Fajin sot ti e ke vetë,
po të dhëmb veshi i pickuar,
mos kot pyet për grerëz a bletë!

Telenovela në klasë

Mësuesi: - Çfarë relievi ka bregdeti?
Keti: - Nisi "E shëmtuara Beti"!
çuna , goca!
Mësuesja: - Ç'vlerë kanë vitaminat?
Keti: - Goca, kur fillon "Njëqind vitrinat"?
Mësuesi: - Sa u doli ekuacioni?
Keti:- Mësues , sa gallata kishte "Kloni"!
Mësuesja:- Lexoni romanin "Të Mjerët".
Keti:- Mësues , a të them "Karabinierët"?
Mësuesi: -Shikoni malin me kate.
Keti:- Çuna, sot “Njerëz me fate"!
Mësuesi: - Shkruaj tri fjali të reja.
Keti: - Në mal na ra rrufeja.
 Gjyshja u dogj te xhezveja.
Dje në darkë iku Zhadeja.
Mësuesja: - Fol mirë, lëri cic- micet!
Keti:- Mësues, për kokë të mamit,
i mori valixhet.
Mësuesja, afrohet te dërrasa:
- Ua , korba, si s'e kapa?!
Pa Zhade më iku darka!...

 

 

VIDEO E JAVES



mtm_logo

europ_assistance



www.albaskela.com


Website